Këshilli i Prindërve: Hapni shkollat, ose do të kërkojmë çregjistrim masiv të nxënësve

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se nëse më 3 tetor nuk fillon mësimi në tërë Kosovën, do të kërkojnë çregjistrim masiv nga shkollat. Sipas tyre, pas kësaj sistemi arsimor në Kosovë do të kolapsojë.
“Nuk do të ketë më nevojë as për shkolla, as për mësimdhënës e as për institucione arsimore! Është e lehtë të prishësh, është kollaj të bllokosh, është e padrejtë greva në arsim! HAPNI SHKOLLAT. Kjo thirrje nuk i përjashton edhe format e tjera të shprehjes së pakënaqësisë: protesta, marshe, hyrje në shkolla!”, thuhet në njoftimin e fundit të Këshillit të Prindërve.
Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. /21Media

Back to top button