Këshilli i Prindërve: Pyeteni veten se a ndjeheni krenarë me grevën

(Live update)
Këshilli i Prindërve: Pyeteni veten se a ndjeheni krenarë me grevën
Këshilli i Prindërve të Kosovës pas vendimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që greva në arsim të pezullohet deri në janar të vitit të ardhshëm ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
Në reagimin e tyre thuhet, se tash pas pesë javësh greve, drejtuesit dhe anëtarët e sindikatës duhet ta pyesin veten dhe njëri-tjetrin se a mund të ndjehen krenarë.
“E sot, pas pesë javësh greve, drejtuesit e SBASHK-ut, por edhe anëtarët e sindikatës, e kanë për përgjegjësi, së paku njerëzore, ta pyesin vetën e njëri-tjetrin: a ia ka vlejtur dhe a mund të ndjehen krenarë me grevën?”, kanë deklaruar nga Këshilli i Prindërve.
Këshilli i Prindërve të Kosovës kanë treguar se më 31 gusht kur kanë zhvilluar takim me drejtuesit e SBASHK-ut, kishin dy kërkesa të cilat ishin refuzuar./21Media
 
Nagavci reagon pas vendimit për pezullimin e grevës
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas ndërprerjes së grevës dhe fillimin e mësimit nga e hëna.
Nagavci  i ka ftuar të gjitha shkollat që s’i kanë shpërndarë tekstet mësimore, që këtë ta bëjnë të hënën në orën e parë të mësimit.
Sipas saj, kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, teksa shtoi se të hënën do ta formojnë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ.
“Kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës. Do të vazhdojmë vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë e ide të nxënësve, mësuesve, prindërve e udhëheqësve të shkollave. Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh”, shkroi Nagavci në Facebook.
Nagavci, më tej tha se me Projektligjin e ri për Paga, punëtorët e arsimit janë trajtuar për herë të parë dinjitetshëm, ku sipas saj, do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë./21Media

Back to top button