Këshilltari i Bislimit: Stano ka pak njohuri për dialogun e shumë gatishmëri për deklarata kundër Kosovës

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka deklaruar se vendimi për shkarkimin e Ekipit menaxhues për Asociacionin, nuk është në kundërshtim me Marrëveshjen me Serbisë.

Ai ka kritikuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, që gjatë ditë u shpreh se marrëveshjet e dialogut thonë se Ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit. Megjithatë, sipas Kadiut, Stano minimum njohuri për zhvillimet në dialog e maksimalisht gatishmëri për deklarata kundër Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen. Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, ka shkruar Kadiu në “Facebook”.

Sipas Kadiut, detyra e vetme e Ekipit menaxhues ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit.

“Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shtoi ai.

Stano ka thënë se marrëveshjet e dialogut thonë qartë se Ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit. Ai u shpreh se vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut.

“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.

Back to top button