As këtë vit nuk përfundon ndërtimi i urës në Pestovë të Vushtrrisë

Ndërtimi i urës së re nuk pritet të përfundojë as edhe këtë vit

Ura mbi lumin Sitnicë në fshatin Pestovë, e cila lidhë mbi 23 fshatra të Vushtrrisë me magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, është afër shkatërrimit. E ndërtimi i urës së re ndonëse ka filluar nuk pritet të përfundojë as edhe këtë vit.

Ura aktuale e ndërtuar vetëm nga druri është dëmtuar në masë të madhe, e qytetarët fajtorë për dëmtimin e urës i bëjnë personat që kalojnë në këtë urë me mjete të rënda.

Aziz Sahihu, banor i fshatit Druar, thotë se deri tek shkatërrimi i urës ka ardhur si pasojë e shfrytëzimit edhe nga automjetet me pesha të rënda.

Kurse, Daut Zenuni, tha se veturat e vogla është më lehtë të kalojnë, por që rrezik përbëjnë automjetet me peshë të madhe.

Ndërsa, banori tjetër, Isuf Rama, tha se rrezik është kur të rritet niveli i ujit, pasi që ura është e ndërtuar vetëm nga druri. E mos përfundimin e ndërtimit të urës ai thotë se po e bëjnë për vota.

Ndërsa, Hamdi Selani, këtë urë e quan si të shenjtë dhe se është shumë e rrezikshme pasi mund të shembet.

Në anën tjetër, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Vushtrrisë, Sami Istrefi, tha se ndërtimi i kësaj ure pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Sipas tij, ndërtimi i urës ka filluar në qershor të vitit të kaluar, por që me buxhet është planifikuar të zgjasë dy vite.

Ai tha se duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën ka qenë më herët është e pamundur që ndërtimi i urës së re të përfundoj këtë vit.

“Duke e pasur parasysh interesin e madh që e kanë të gjithë fshatrat e Qyqavicës, mbi 23 fshatra që e lidhin pjesën kryesore me Prishtinën, prandaj duke e pasur parasysh gjendjen më herët që ka qenë dhe ndërtimi i ri që po bëhet është e pamundshme që të mund të rregullohet këtë vit”, tha ai.

Ura e vendosur në fshatin Pestovë shërben si lidhëse e mbi 23 fshatrave të komunën se Vushtrrisë me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë./21Media

Back to top button