KFOR-i nis hetimin për të shtënat në Zubin Potok

Misioni paqëruajtës i NATO-s në Kosovë ka nisur hetimet pas të shtënave me armë zjarri në afërsi të patrullës së tyre në Zubin Potok.
KFOR thekson se nuk ka të lënduar apo dëme materiale nga ky incident.
“Ne presim që të gjithë akterët të përmbahen nga provokimet dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i ftojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, ka deklaruar se e mbështet dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës.
Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.
“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji./21Media

Back to top button