KFOR-i për RTV21 thotë se janë plotësisht të përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti

Forca paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje për shmangie nga veprimet dhe nismat, siç i ka cilësuar, të njëanshme që mund të çojnë, siç thuhet, në dhunë të panevojshme. Në një përgjigje për RTV21, KFOR thotë se trupat e tij janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes. Deklaratat e forcës paqeruajtëse vijnë në prag të skadimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe paralajmërimëve të serbëve të Kosovës për vendosjen e barrikadave në veri
Forca paqeruajtëse në Kosovë ka bërë me dije se Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Ristuccia është në kontakt të ngushtë me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë. KFOR i tha RTV21 se është me një rëndësi të veçantë që të shmangen veprimet dhe nismat e njëanshme të cilat mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme. Deklarimet u bënë pas paralajmërimeve të udhëheqësve të serbëve të Kosovës se mund të rivendosin barrikadat në veri për shkak të, siç thanë, presionit për targat, pas një takimi që zhvilluan me Presidentin serb Vuçiq.
Qeveria në Kosovë tha se çështja e targave është e ndërlidhur me sundimin e ligjit dhe bëri me dije se nuk heq dorë nga vendimi i saj për ta zbatuar atë më 31 tetor.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë e cilësuan gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të qëndueshme dhe pa një ndryshim në qëndrimin e misionit të tyre.
Në përgjigjen për RTV21, KFOR tha se një njësit i tij po zhvillon stërvitje që, siç tha, rezulton me një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren. Forca paqeruajtëse e cilëosi stërvitjen si një aktivitet të rregullt me qëlllim që të mbajë nivelin e gatishmërisë dhe njëkohësisht që të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, e të gjitha komuniteteve në Kosovë. KFOR u thirr në mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara./21Media

Back to top button