KFOR: Pa barazi gjinore nuk mund të përmbushim misionin tonë

Fungo theksoi se mbajnë kontakte me FSK-në, me Policinë e Kosovës dhe me të gjitha institucionet e Kosovës

KFOR-i të enjten organizoi konferencë për Ditën e Perspektivës Gjinore të KFOR-it. U tha se KFOR-i synon mundësimin e një platforme për organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, KFOR-in dhe NATO-n, si dhe organizatat e sigurisë të Kosovës, për të diskutuar tema të lidhura me çështjet gjinore me fokus në “Perspektivën gjinore në siguri” dhe “Gjeneratën e re të Kosovës”.

Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, tha se për herë të parë deri më sot po organizojnë një ngjarje jashtë kampit të tyre, e një gjë e tillë sipas tij shërben për tu lidhur edhe më shumë me shoqërinë kosovare.

“Perspektiva gjinore, kjo është pjesa e tretë e cila është diçka që po mundohemi të shohim në fushën tonë dhe qëllimi jonë është që të krijojmë një forum ku institucionet e rëndësishme të jenë në gjendje të kuptojnë njëri-tjetrin, njohurinë e shoqërisë, kulturës, zakoneve. Kjo është shumë e rëndësishme për neve, barazia gjinore po bëhet shumë e rëndësishme dhe nëse aspektet e barazisë ligjore nuk merren parasysh atëherë mund të jenë si pengesë për të përmbushur misionin tonë”, u shpreh Fungo.

E për këtë, Fungo tha se është esenciale heqja e paragjykimeve dhe gjetja e mënyrave sa më të mira të bashkëpunimit në mënyrë që palët të ndjehen pjesë e shoqërisë. Fungo theksoi se mbajnë kontakte me FSK-në, me Policinë e Kosovës dhe me të gjitha institucionet e Kosovës.

Komandantja e NATO-s, Michelle Howard, tha se nevojitet kurajo e madhe për të ndërmarrë hapa drejt barazisë gjinore.

Malala Yousafazi, sipas Howard, është shembulli më i mirë se çfarë një femër e re mund të arrijë, përderisa tha se edhe 15-të vjecarët e Kosovës kanë mundësi të tregojnë potencialin e tyre.

Howard tregoi edhe pjesë të historisë së shqiptarëve, përkatësisht, ajo përmendi rolin e motrave Qiriazi të cilat, që siç tha ajo, ishin shembull i kurajos me hapat që ato ndërmorën për të mundësuar shkollimin e rinisë shqiptare.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila nuk mundi të ishte e pranishme në konferencë, kishte gjetur mënyrën virtuale për të dhënë porositë e saj me rastin e kësaj dite. Ajo përmes një videoje u shpreh se pa fuqizimin e rolit gruas në shoqëri dhe institucione nuk do të ketë barazi ligjore. Ndërkaq Jahjaga tha se në FSK ka pasur rritje prej 9 përqind, derisa theksoi se trendet negative të pjesëmarrjes të grave në forcat e sigurisë mund të jenë edhe për shkak të mentalitetit partiarkal që mbizotëron. Kurse tha se një sistem i drejtë gjinor tregon se duhet të ketë më shumë gra të përfshira në forca të sigurisë.

Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, theksoi se po vërehet një trend i shfrytëzimit të grave nga liderët politik duke iu dhënë atyre hapësirë vetëm në kohë fushatash. Ajo preku tema të ndjeshme të gjendjes së gruas në shoqërinë e Kosovës si dhe trajtimin që iu bëhet kategorive të ndryshme të grave.

“Unë jam jashtëzakonisht e dëshpëruar kur po e lëshoj televizionin dhe dëgjoj debate që kanë të bëjnë vetëm me ushtrinë, kufijtë dhe fare nuk kanë të bëjnë me gjysmën e popullatës së Kosovës që janë gratë dhe vajzat. 26’06” Akoma sot e kësaj dite ne kemi dhunë në familje. Lëre që kemi dhunë në familje por tash po ndodhin edhe vrasje përbrenda. E çfarë ndodh me institucionet tona të drejtësisë? I falin vrasësit, se iu japin dënime të vogla dhe kësi soji inkurajojnë të tjerët me ushtru dhunë në familje që thonë “hajt se nuk qenka dënim i rëndë”. Ne kemi mekanizma por nevojitet implementimi i mirëfilltë i ligjit”, u shpreh Rogova.

Ndërkaq, për Rudinë Jakupin, hulumtuese nga KCSS, zhvillimi ekonomik është një ndër faktorët kyç për gjendjen e gruas sot. Ajo tha se edhe nga hulumtimet që ka bërë del se gratë dhe vajzat në Kosovë hasin vështirësi të shumta në tregun e punës sot.

Ndryshe, përkundër sfidave dhe ballafaqimeve që gruaja ndesh sot në shoqërinë kosovare, vëmendjen e të pranishmëve e mori edhe puna e mirë e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të forcave të sigurisë. Punë kjo që vërehet edhe në hapësirat që këto institucione i japin gruas në strukturat e tyre./21Media

Back to top button