Kiana ka përfunduar garën e parë në Lojërat Olimpike Dimërore
Kiana Kryeziu ka debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022. Skitarja nga Kosova ka përfunduar garën e parë në disiplinën e sllallomit të madh.
Ajo u rendit e 59-ta nga 82 pjesëmarrëse, me kohë 1 minutë, 18.78 sekonda, kanë njoftuar KOK-u.
Kiana po garon si vajza e parë nga Kosova në Lojërat Olimpike Dimërore.
Gara e radhës për 17-vjeçaren është e planifikuar për ditën e nesërme nga ora 07:30.
Kosova në këto Lojëra Olimpike, po përfaqësohet edhe nga skitari Albin Tahiri.
“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, është shumë e organizuar mirë do të thotë pista, qitet, heket, i kemi tri ndrrime edhe thjeshtë është super…Agim Popovci, trajneri im është një pjesë themelore e ushtrimeve dhe jetës sime si sportiste. Ai më mungon shumë, sidomos tani në këto momente që më duhet të jetë këtu dhe nesër që e kam garën por në përgjithësi unë e di se çfarë më ka thënë ai dhe thjeshtë do të vazhdojë më këshilla e tij. Gati jam, jam e përgatitur, jam përgatitur gjatë gjithë vitit 2021 ka qenë një prej synimeve më të mëdha të miat kështu që jam shumë e emocionuar dhe mezi po pres”, kishte thënë Kryeziu./21Media