Kim për situatën në veri: Liderët të lënë anash egon e tyre, dëgjoni këshillat e miqve

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke bërë thirrje që të dëgjohen këshillat e miqve në raport me situatën e krijuar atje. Sipas saj është koha që udhëheqësit të lënë mënjanë egon e tyre.

Këto komente ambasadorja në largim e SHBA-ve, Yuri Kim i bëri në fjalimin e saj përmbyllës para mediave shqiptare pasi nga 10 korriku do të marrë pozitën e zëvendës ndihmës sekretares për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit.

“Çështja qëndron se cilët janë hapat dhe sekuencat që duhet ndjekur në mënyrë që të dy palët të lëvizim së bashku, të lëvizin përpara. Dhe në fakt kjo është koha që udhëheqësit duhet të lënë me një anë egon e tyre dhe të mendojnë në fakt për atë që është krenaria kombëtare, të mendojnë për atë që u thonë miqtë e tyre dhe të marrin në konsideratë ato që u thuhen nga miqtë e tyre”, theksoi Kim.

Ambasadorja në largim e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim theksoi se sa i takon çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë rëndë dakord për diçka të tillë dhe janë dakorduar për rrugën përpara që do të çonte në njohjen e plotë të Kosovës.

“Qëndrimi i SHBA-së është shumë i qartë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të. Sa i përket asociacionit duhet përmendur që dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë rënë dakord për këtë ata kanë rënë dakord sepse në fakt kanë rënë dakord për rrugën përpara e cila do të përfundonte me njohjen e Kosovës. Nuk besoj vërtetë që njerëzit kanë nevojë që t’iu rikujtohet se sa shumë besojnë Shtetet e Bashkuara në Kosovën. Dashuria që ne kemi, angazhimi që ne kemi për një Kosovë të pavarur dhe sovrane edhe në fakt nëse keni nevojë për prova do t’ua rekomandoj të hidhnit sytë prapa disa vite më parë“, u shpreh ajo.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Ndërkaq, më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit. Të premten atyre i është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Kralevë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

Back to top button