Kina duket se po i rikthehet normalitetit, pasi qyteti kinez i Wuhanit, më i godituri nga pandemia ka vendosur të rihapë të gjitha shkollat dhe kopshtet duke nisur nga kjo javë.

Autoritetet lokale bëjne të ditur se rreth 2.842 institucione arsimore në Wuhan do të hapin dyert për 1.4 milion nxënës.

Pas vendimit për hapjen e institucioneve arsimore, përveç masave specifike të përcaktuara, ndaj stafit janë bërë edhe një sërë trajnimesh për t’u përgatitur për çdo skenar të mundshëm në rast shpërthimi të virusit.

Gjithashtu, që nga e marta autoritetet kanë bërë thirrje për kufizimin e tubimeve të panevojshme në institucionet arsimore të qytetit, si dhe paraqitjen e raporteve ditore tek autoritetet shëndetësore.

Në qytetin ku besohet të ketë zanafillën virusi Covid-19, numri i vdekjeve ka arritur në 3.869 persona dhe përbën më shumë se 80% të shifrës totale të viktimave në Kinë.

Wuhan i është kthyer tashme normalitetit që nga muaji prill duke mos raportuar asnjë rast të ri me koronavirus që prej datës 18 maj.