OBSH: Rritje e konsiderueshme e të infektuarve me Covid-19 në Evropë

 

Në nivel botëror numri i personave të infektuar qysh nga shpërthimi i koronavirusit ka arritur në 24 milionë e 950 mijë. Nga ta 17 milionë e 330 mijë janë shëruar, teksa mbi 842 mijë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes. Raste aktive në gjithë botën mbesin 6 milionë e 780 mijë, sipas shifrave të faqes së statistikave Worldometers. Nga ta 61 mijë janë në gjendje kritike.

Në Shtetet e Bashkuara numri i personave të infektuar ka tejkaluar 6 milionë, ndërsa të vdekur raportohen 186 mijë persona. Në Brazil numri i të infektuarve raportohet të jetë mbi 3 milionë e 812 mijë, ndërsa të vdekur gati 120 mijë. India ka rreth 3 milionë e gjysmë raste të infektuarve e 62 mijë të vdekur, e Meksika ka 585 mijë të infektuar, e 63 mijë të vdekur.

Për shkak të koronavirusit, në 24 orët e fundit vendet më të prekura kanë qenë Shtetet e Bashkuara me 1.105 viktima, në Indi janë shënuar 1.019 vdekje, në Brazil 868 dhe në Meksikë 552.

Franca ka regjistruar 7,379 raste të reja të premten, numri më i madh i të infektuarve brenda 24 orëve që nga muaji mars kur është përhapur koronavirusi në vend. Presidenti Emmanuel Macron ka ngritur shqetësimet për kthimin e mundshëm të karantinës si pasojë e rritjes së rasteve të reja.

Instituti gjerman i Epidemiologjisë pret që deri në fillim të vitit 2021 do të jenë në dispozicion një a më shumë vaksina kundër Covid-19. Sidoqoftë këto fillimisht nuk do të jenë të mjaftueshme për të gjithë popullsinë.

Sipas njohurive të tanishme pritet “që nga fillimi i vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian do të aprovohen një ose më shumë vaksina kundër COVID-19 dhe që pakot e para të vaksinës të shpërndahen dhe shiten”, shkruan Instituti Robert Koch në numrin e fundit të “Buletinit Epidemiologjik”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se në Evropë ka pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve me COVID-19 dy javët e fundit. Në 32 nga 55 zonat dhe territoret në rajone, ka pasur një rritje mbi 10 për qind.

Duke folur me gazetarët në një videokonferencë për shtyp nga Kopenhaga, shefi i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, tha se pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka qenë mes të rinjve./21Media

 

Back to top button