Kirurgët edhe sot në grevë, Ministria: Pagat në shëndetësi janë rritur më së shumti
Ministria kërkon që kirurgët tu kthehen sallave të operacioneve
Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë hyrë në javën shtatë të grevës, me kërkesën për rritje të koeficientit nga 5 në 10.
Kirurgu Arbër Morina nga QKUK sot për portalin rtv21.tv tha se kirurgët po vazhdojnë grevën përkundër dezinformatave për ndërprerjen e saj. Mirëpo, ai nuk mohoi se disa nga kirurgët e Kirurgjisë Torakale e kanë ndërprerë grevën. Por, sipas tij, pjesa dërmuese e kirurgëve janë në grevë.
Morina u shpreh se nuk kanë marrë premtime për arritjen e ndonjë marrëveshjeje nga Ministria ose Qeveria.
“Nuk kemi marrë akoma asnjë premtim prej vartësve tanë apo Qeveritarëve për ndonjë marrëveshje eventuale”, tha Morina.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë u shprehën se përmes ligjit të ri për pagat, profesionistëve shëndetesor u është bërë rritja më e madhe e pagave që është bërë ndonjëherë.
Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi u shpreh për rtv21.tv se rritja që i është bërë së fundmi sektorit shëndetësor është më e madhja se në secilin sektor, andaj tha se kjo rritje duhet të respektohet.
“Për mjekët specialist, pothuajse është dyfishim i pagës që kanë pasur. Kjo është rritje më e madhe sesa secili sektor tjetër, por edhe sesa profesionistet tjerë shëndetësor të rajonit. Prandaj, kjo rritje duhet mirëpritur dhe respektuar nga të gjithë, edhe nga kirurgët, sepse Kosova nuk ka mundësi të tjera buxhetore për të dalluar askënd tjetër.”, deklaroi ai për rtv21.tv
Matoshi shtoi se kirurgët tani për tani duhet t’i gëzohen kësaj rritjeje të pagës dhe ta kthejnë vëmendjen te pacientët.
“A meritojnë mjekët paga akoma më të mëdha? Natyrisht. Por këtë herë duhet t’i gëzohemi kësaj rritje dhe të gjithë së bashku ta kthejmë vëmendjen te pacientët, natyrisht duke mbajtur hapur dialogun social për hapat e radhës që do të shërbejnë për përmirësimin e kushteve për të gjithë sektorin e shëndetësisë. Ftojmë edhe pjesën tjetër të kirurgëve që të ndjekin shembullin e kolegëve të tyre të kirurgjisë torakale, tu kthehen sallave të operacionit dhe të jenë në shërbim të pacientëve”, shtoi Matoshi.
Me ligjin për paga në sektorin publik, koeficienti për mjekët nga 3.5 është rritur në 5.