Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë refuzon Kurtin

 

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar më 27 maj se është “krejtësisht e pakuptimtë” që të përgjigjet në letrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën ia ka dërguar abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq. Në atë letër Kurti e kishte shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin Janjiq. Arsyeja e refuzimit, siç thuhet në një komunikatë të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, është mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit.

“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti e ka dërguar në manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet pranë qëndrimit të saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë, për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykata Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së manastirit ”, thuhet në njoftimin e dioqezës.

“Ky vendim tash e pesë vjet është duke u injoruar me këmbëngulje, pavarësisht kërkesave për zbatimin e tij nga ana manastirit dhe institucioneve ndërkombëtare”, njoftohet në komunikatën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, më 26 maj ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ministri Çeku në profilin e tij në Facebook, duke postuar një letër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dërguar më 20 maj, abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Në atë letër, përveç tjerash, thuhet që Qeveria e Kosovës do të kujdeset “për të gjitha monumentet tona (të kulturës), e në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.

Kryeministri Kurti, gjithashtu ka shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin e manastirit, Sava Janjiq, duke theksuar se vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet te mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve.

“Do të jem në pritje të përgjigjes për të përcaktuar detajet e vizitës”, thuhet në fund të letrës së kryeministrit Kurti./rel

Back to top button