KKSh: Nuk do të lejojmë që shqiptarët e Luginës të shndërrohen në qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre

Enkel Rexhepi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social në Serbi, të cilat i konsideron si një sulm të hapur ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas Rexhepit, këto masa synojnë bllokimin e ndihmës ekonomike dhe shkatërrimin e autonomisë institucionale të shqiptarëve në Serbi.
Në dy ditë radhazi, ministria ka shfuqizuar subvencionet për fermerët shqiptarë të financuara nga Qeveria e Kosovës dhe ka refuzuar regjistrimin e kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, me argumente të pabaza, thekson Rexhepi. Këshilli e ka cilësuar këtë si një akt të qartë të diskriminimit dhe ka paralajmëruar masa ligjore dhe diplomatike, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka theksuar se do të vazhdojë luftën për të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe se nuk do të lejojë që ata të shndërrohen në qytetarë të dorës së dytë në Serbi.