Klasë e mjerueshme prej 5 metrave katror! Nxënësit me pengesa ndjekin mësim në kushte të këtilla

 

Albioni, nxënës i klasës së gjashtë, dhe Amra, nxënëse e klasës së tretë, çdo ditë së bashku nga fshati Moranë shkojnë në shkollë në fshatin fqinj Studeniçan, duke bërë 3 kilometra rrugë.

“Mirëmëngjesi mësuese. Mirëmëngjesi. Hyn Albion. Po s’kemi ku të ulemi”.

Në këtë klasë prej 5 metrave katror kanë ndjekur mësim 7 nxënës. Por për shkak të pandemisë me Kovid 19, nxënësit janë ndarë në tre grupe, andaj procesi mësimor po zhvillohet me vetëm dy nxënës. Në këtë hapësirë të vogël nxënësit lëvizin me vështirësi me mjetet e tyre ndihmëse.

Nëse i hapni duart nevojiten vetëm disa centimetra që t’i prekni të dy muret e klasës.

 “Klasa është e ngushtë, s’kemi kushte. S’kemi kushte. S’kemi ku ta vendosim kompjuterin apo televizionin për të parë programe apo emisione”, u shpreh Albioni.

Mësuesja Xhejlane Dreshaj tashmë 25 vjet jep mësim në këtë shkollë. Ajo thotë se është shumë e vështirë që në këtë hapësirë t’u përmbahen protokolleve veçanërisht të mbahet distancë prej dy metrave.

 “Klasën e kemi gjithmonë të pastër dhe të dezinfektuar. Edhe nxënësit u përmbahen rregullave. Të gjithë vinë me maska. Por ndonjëherë kur kanë vështërsi, këto nxënës janë më specifikt, ndonjëherë e mbajnë maskën ndonjëherë nuk e mbajnë. E kam shumë vështirë nuk kam ku të sillem”, deklaroi Xhejlane Dreshaj – mësuese.

Nxënësit janë regjistruar në Shkollën e Veçantë Fillore “Zllaten Sremec”, kurse janë pjesë e një paraleleje të disperzuar pranë Shkollës Fillore “Naim Frashëri”. Ata i shfrytëzojnë hapësirat e kësaj shkolle. E pyetëm drejtorin Idriz Shabani nëse do të përmirësohen kushtet për mësim për këto nxënës? Ai tha se kanë plan që t’i transferojnë fëmijët në hapësirë më të madhe.

Nga ana tjetër, drejtoresha e shkollës “Dr.Zllaten Sremec” Marija Deletiq, pohon se po planifikohet të zgjerohet shkolla në mars të këtij viti.

“Thirrja e MASH-it për zgjerim të kapaciteteve të shkollave është planifikuar për në mars, ku shkolla do të ketë mundësi të dorëzojë draft-projekt adekuat për zgjerim dhe zgjidhje të vërejtjeve të cekura”, tha Marija Deletiq.

Në 10 paralelet e disperzuara në shkollën “Zllaten Sremec”, mësimin e ndjekin gjithsej 45 nxënës nga Shkupi dhe rrethinë.

SHFK “Kuzman Shapkarev”, Lagjja Draçevë, Komuna K.Vodë – 12 nxënës – 2 paralele

SHFK “Aleksandar Makedonski”, Komuna e Aerodromit – 4 nxënës – 1 paralele

SHFK “Strasho Pinxhur”, Lagjja Dame Gruev, Komuna Gjorçe Petrov – 4 nxënës – 2 paralele

SHFK “Vera Ciriviri Trena”, Komuna e Karposhit 4 nxënës – 1 paralele

SHFK “Dituria”, Komuna e Sarajit – 9 nxënës – 2 paralele

SHFK “Naim Frashëri”, Komuna e Studeniçanit – 7 nxënës – 1 paralele

SHKF “Gjorçe Petrov”, Komuna Gjorçe Petrov – 5 nxënës – 1 paralele

Përveç klasës që është në gjendje të mjerueshme dhe e cila ua vështirëson lëvizjen e nxënësve me pengesa, problem shtesë është edhe transporti i asistentëve personalë. Komuna nuk ka organizuar transport për këto fëmijë. Por, shkolla “Dr.Zllaten Sremec”, disponon edhe me një makinë e cila është përshtatur për nevojat e atyre me karrocë, kurse të njëjtën e përdorin 14 nxënës.

Ruta e autobusit është në radius prej 10 kilometrave nga shkolla, kurse për rutat më të largëta, prindërit vetë e organizojnë transportin përmes Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik. Ndryshe, shkolla ka lidhur marrëveshje me NQP-Shkup për përdorim të transportit publik, kurse shfrytëzuesit kanë të drejtë për 15 bileta udhëtimi. NQP-ja ka 7 furgonë për transport të personave me pengesa vetëm në zonën e Qytetit të Shkupit./21Media

Back to top button