Klinaku: Për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë, e jo fjalët në media

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar se kryeministrit Albin Kurti ia kanë bërë të qartë se propozimin që do t’ia jap ai me shkrim shoqatave të dala nga lufta, duhet të jetë në përputhje me rikthimin e pikës 3.1 të nenit 16 A, që kjo qeveri e ky kuvend e ka ndryshuar, dhe për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë, e jo fjalët në media.
Klinaku ka reaguar pas deklaratave të Aziz Bicit, këshilltarit të kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se në batalionin e tij ishin 250 ushtarë, kurse tash komisioni i ka bërë 600 ushtarë.
Klinaku ka treguar se edhe vet ishte në atë batalion, por që Aziz Bici ishte vet në komisionin për vlerësim e verifikim.
“Unë nuk kam qenë, nuk dua të merrem unë tash në publik, sepse për këtë pasaktësi të madhe i reagova edhe në takim që kishim me kryeministrin Kurti, por me këtë do të duhej që të merreshin të tjerët(komandantë e ushtarë të batalionit). Nga pozita që e kam unë, dhe duke pasur parasysh që si OVL UÇK kemi kërkuar hetim nga prokuroria dhe prandaj ka proces gjyqësor që duhet të përfundojë, nuk dua të merrem por do të ishte mirë të publikohet ajo listë prej atyre 250 vetave, e të shihen se cilët nga ata qindra ushtarët do të mbeten jashtë saj, por edhe për këtë mendoj se duhet të merret prokuroria”, ka thënë Klinaku.
Ai tutje ka thënë se lojërat politike me këtë çështje, nuk i bëjnë nderë askujt.
“Edhe kryeministrit ia kemi bërë të qartë se propozimin që do të na japin me shkrim, duhet të jetë në përputhje me rikthimin e pikës 3.1 të nenit 16 A, që kjo qeveri e ky kuvend e ka ndryshuar, dhe për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë, e jo fjalët në media”, ka shkruar Klinaku në Facebook./21Media

Back to top button