KMDLNj – Qeverisë: Urgjentisht ndërpreje pagesën e rrymës për komunat e veriut
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thotë se Qeveria e Kosovës kishte premtuar, për dallim prej qeverive të mëparshme, se më nuk është në gjendje të paguajë faturat e energjisë elektrike për serbët e komunave të veriut të Kosovës, i është nënshtruar një oportuniteti politik dhe ka ndarë mjete për këtë.
Në këtë mënyrë, sipas KMDLNj-s, kjo qeveri po e vazhdon traditën e diskriminimit të konsumatorëve të rrymës dhe shërbimeve tjera kryesisht në baza etnike, serbët po i liron nga çdo pagesë kurse konsumatorët shqiptarë dhe joserbë të cilët janë pagues të rregulltë të faturave edhe në rast të një vonese të vogël, menjëherë i penalizon.
“Qeveria e Kosovës nuk e merr fare për bazë kriterinë ekonomik dhe social të qytetarëve të Kosovës, por përcaktohet në bazë të kriterit etnik dhe interesit politik përkatësisht diskriminon në mënyrë flagrante qytetarët të cilët Kushtetuta e Kosovës iu siguron një barazi para ligjit dhe një trajtim jodiskriminues. Gjykata kompetente, me kërkesë të Avokatit të popullit ka nxjerrë një vendim me të cilin vërteton se është e kundërligjshme subvencionimi i 100 përqind i faturave për rrymë dhe shërbime tjera për serbët dhe të tjerët në komunat e veriut të Kosovës dhe ka kërkuar që të ndërpritet ky diskriminim në baza etnike sikur që ka kërkuar që konsumatorët që janë plaçkitur përmes fryerjes së që nga përfundimi i luftës të kompensohen e që asnjëherë nuk është vepruar në zbatim të këtij vendimi”, thuhet në reagimin e tyre.
Fillimi i reduktimit të rrymës në kohën kur shpenzimi i rrymës është më i ulët është një paralajmërimi i keq për qytetarin, tha tutje KMDLNj.
“Ministrja aktuale, znj. Rizvanolli i tmerron qytetarët me pohimin se do ta kemi një dimër të rëndë sa i përket furnizimit me rrymë pa treguar fare se cilat janë veprimet e qeverisë dhe ministrisë që e drejton që ky dimër të jetë më i lehtë dhe se si kanë planifikuar furnizimin me rrymë gjatë dimrit kur rryma shpenzohet disa herë më shumë se tani, aq më parë që peleti ka shkuar më shumë se 400 euro për t. sikur që metri i druve për ngrohje është afër 100 eurove”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
“Në kohën kur kemi inflacion afërsisht 15 % dhe kur çmimet e artikujve elementarë po rriten në shpërputhje të madhe me të ardhurat e qytetarëve, shtrenjtimi i rrymës, KESC-o ka kërkuar nga ZRrE dyfishim të çmimit aktualë të rrymës do të godasë tepër rëndë ekonomitë familjare sikur edhe bizneset. Rritja e rrymës, në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve tjerë dhe të shërbimeve andaj KMDLNj –ë e kundërshton këtë kërkesë të KESC-o sikur edhe reduktimin që tashmë ka filluar duke kërkuar nga qeveria që të mbrojë interesin e qytetarëve dhe duke pamundësuar kusarët e ZRrE, ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, thuhet tutje në reagim.
KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht ta ndërprejë pagesën e rrymës për komunat e veriut të Kosovës dhe t’i trajtojë qytetarët, konsumatorët në përputhje me ligjet në fuqi.
“Çfarë logjike ka që rryma dhe shërbimet të paguhen sipas parimit etnik dhe pse qytetarët e komunave tjera të Kosovës do të duhej ta paguanin rrymën kurse komunat e veriut të Kosovës nuk e bëjnë këtë ? Të gjitha këto zhvillime pashmangshëm e çojnë vendin drejt reagimeve dhe protestave sociale për shkak të kushteve të rënda, jo për një jetesë të dinjitetshme, por për një mbijetesë minimale. Si do të përballojnë këto shtrenjtime kategoritë e cenueshme siç janë pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët e luftës dhe ata me një rrogë minimale ? Pse qeveria, nëse nuk është në gjendje të frenojë rritjen e këtyre çmimeve dhe shërbimeve për artikujë të domosdoshëm, atëherë, së paku të rrisë pensionet, ndihmat sociale, pagën minimale por edhe pagat tjera në mënyrë që të zbusë këtë gjendje që vetëm sa po përkeqësohet”, thuhet në reagim.
KMDLNj theksoi se qytetarët duhet të gjejnë rrugë ligjore të kundërshtojnë këtë diskriminim flagrant në baza etnike sikur që përmes të gjitha mjeteve demokratike duhet të kërkojnë respektimin e të drejtave elementare të njeriut, e drejta për punë dhe një pagë të dinjiteteshme që siguron një jetë të dinjitetshme.
“Qeveria po e paralajmëron pikërisht të kundërtën e një jete të dinjitetshme, varfërimin galopant të një pjese dërrmuese të qytetarëve të Kosovës”, përfundon reagimi./21Media