KMDLNj: Rritja e çmimit të energjisë elektrike, thjeshtë vjedhje e parasë nga buxheti

KMDLNj ka reaguar pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj.

Përmes një komunikate për media ata kanë thënë se për dallim nga muaji i kaluar faturat e qytetarëve kanë qenë 100% më të larta këtë muaj, ani pse askush nuk ka njoftuar për një rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike.

“Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregullte me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka kërkuar nga qytetarët që t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar ato me muajin e kaluar, dhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura të cilat KMDLNj i quan thjeshtë vjedhje e parasë nga buxheti.

Sipas tyre kjo situatë e ka rënduar shumicën e familjeve në Kosovë.

“Për këtë plaçkitje legale deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur të thërrasin seancë të jashtëzakonshme ndërsa qytetarët e Kosovës është dashur të reagojnë fuqishëm përmes një aktivizmi qytetar kundër KEDS, KES/CO dhe ZRrE –së. E keqja e gjithë kësaj është se ZRrE, si Rregullator i Energjisë Elektrike asgjë nuk ka ndërmarrë për mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës por se ka mbrojtur gjithmonë interesin e kompanive gllabëruese si KEDS dhe KES/CO”, thuhet në komunikatën për media.

Derisa shtohet se në një vend ku bëhet politikë e pëgjegjshme ku deputetët e përfaqësojnë interesin e qytetarëve është dashur që të ndodhte dorëheqja apo shkarkimi i ministrisë përkatësë dhe mbase edhe rënia e qeverisë, transmeton rtv21.tv.

Po ashtu ata kanë krahasuar këtë ngjarje edhe me vendet të cilat janë më të zhvilluara si Franca, Gjermania, Italia, Hungaria etj. për shtrenjtim shumë më të vogël ka apsur protesta shumëditëshe dhe përballje të qytetarëve me policinë deri kur shteti ka pranuar fajin dhe është thyer në pozitat e mëparshme.

“Diskriminimi bëhet edhe në pagesën e shërbimeve tjera si uji, plehrat dhe kanalizimi, tatimi në pronë etj. dhe me këtë dukuri askush nuk merret seriozisht. Qytetarët e kosovës nuk mjafton të njoftohen dhe t’i dijnë të drejtat e tyre por ato të drejta duhet t’i mbrojnë me të gjitha mjetet e lejuara demokratike”, thuhet tutje në reagimin e KMDLNj.

Në fund KMDLNj thotë se qytetarët po manipulohen nga subjektet politike sikur edhe nga pjesa përfituese dhe klienteliste e shoqërisë civile që po i zbehin protestat apo po i fusin në shërbim të tyre. Deri në kohën kur qytetarët nuk do të vetëdijesohen se të drejtat e tyre duhet t’i mbrojnë vet, do të marrin fatura shumë më të larta se këto të dhjetorit./21Media

Back to top button