Koeman largohet nga konferenca për media, refuzon t’i përgjigjet pyetjeve

Trajneri holandez, Ronald Koeman është pranë shkarkimit tek “Blaugranët”, por ka insistuar që atij i duhet kohë që ta rregullojë situatën aktuale.
Koeman ka kërkuar durim, pasi që Barcelona është drejt rindërtimit të skuadrës pavarësisht krizës në të cilën gjenden, gjatë një konference për media në të cilën refuzoi që t’iu përgjigjet pyetjeve.
Vazhdimisht ka pasur spekulime që trajneri i Barçës do të shkarkohet, por Koeman ka treguar që ka përkrahjen e klubit dhe se e kuptojnë që do t’i duhet kohë që ta përgatisë skuadrën që të garojë përsëri për trofe.
“Klubi më ka përkrahur mua si trajner në një situatë ku jemi duke u rindërtuar si ekip. Situata financiare e klubit është e lidhur me aktivitetet sportive, dhe e kundërta. Kjo do të thotë që ne si ekip duhet të vazhdojmë pa bërë investime financiare. Na duhet kohë. Lojtarët që kemi sot mund të bëhen yje botërore në vitet e ardhshme. Duhet t’u japim mundësinë lojtarëve të rinj, sikurse kanë vepruar me Xavi dhe Andres Iniesta. Por na duhet që të kemi durim”, tha Koeman.
Raportohet se trajneri holandez vendosi vet që t’i thoshte këto fjalë gjatë konferencës për media pa pëlqimin e krerëve të klubit./21Media

Back to top button