Komandanti i KFOR-it në takim me Sveçlën: Jemi vigjilent

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia është takuar sonte në mbrëmje me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të diskutuar për situatën aktuale në Kosovë dhe tensionet si pasojë e targave.
KFOR përmes një komunikate për media ka thënë se komandanti u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës.
“Ai u bëri thirrje palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë. Ai theksoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri, pas tensioneve në gusht. Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, duke përfshirë Komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet tutje në komunikatë.
Tutje, KFOR-i ka thënë se mbetet vigjilent dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, me të gjitha kapacitetet e tij në dispozicion, për një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
“Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit”, thuhet në komuniaktë.
Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave.
Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”.
“Po, ne kemi mision, EULEX-in, edhe KFOR-in po ashtu. Por, ata nuk mund të marrin sipër rolin e Policisë së Kosovës”, tha ai./21Media 

Back to top button