Komandanti i KFOR-it: Palët të mundësojnë lirinë e lëvizjes

KFOR-i u bëri thirrje të gjitha palëve në Kosovë që të “angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes”, duke theksuar se zgjidhja e situatës duhet të kërkohet përmes dialogut, deklaroi komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristucca.
“KFOR është duke monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës. “KFOR ka kapacitet të plotë, duke përfshirë personelin, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, në gjithë territorin e Kosovës, sipas mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999”, tha Ristuca për N1.
Ai shton se KFOR-i ka forcuar praninë e tij që nga tetori, duke përfshirë ushtarët dhe patrullat shtesë të kësaj jave në veri të Kosovës.
“Ne presim që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shprehjet provokuese të forcës, për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut”, tha për N1, komandanti i KFOR-it, Angelo Mikele Ristucca.
Serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët me barrikada për të 11-tën ditë në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Back to top button