Kaloni te përmbajtja kryesore

KOMF i bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre pas rasteve të fruthit

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve të fruthit te fëmijët dhe ka bërë thirrje për intensifikim të vaksinimit në terren, përfshirë edhe qasjen “derë më derë”.

Përmes një komunikate për media, KOMF thekson se shqetësim mbetet edhe rënia e mbulueshmërisë me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) në grupmoshën 12–24 muaj, gjë që sipas saj rrit rrezikun për shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme me vaksinë.

Sipas organizatës, në javët e fundit janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi në Kosovë, dhe të gjithë rastet e konfirmuara kanë qenë të pavaksinuar.

KOMF-i i ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të imunizimit, duke theksuar se vaksinimi është obligim ligjor dhe masë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

“Vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ato janë të testuara shkencërisht dhe të sigurta”, thuhet në reagimin e KOMF-it.

Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje prindërve që të mos bien pre e dezinformatave dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare për çdo paqartësi.

Në të njëjtën kohë, KOMF-i ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të intensifikojnë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe të organizojnë vaksinim në komunitet, përfshirë edhe vizitat në shtëpi.

Sipas KOMF-it, nevojitet një reagim i koordinuar institucional dhe fushata më të fuqishme vetëdijesuese për rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button