KOMF: Rastet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve, urgjencë për reagim nga shteti

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka bërë të ditur se e ka ndekur me shqetësim të thellë publikimet e ditëve të fundit në media për dy raste të rënda të dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura.

Në reagimin e lëshuar për media thuhet se KOMF konstaton se këto raste janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në parandalimin e këtyre sulmeve dhe abuzimeve, e performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave kundër integritetit seksual, si dhe e kulturës së mos ndëshkimit të merituar të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve.

“Kjo gjendje shoqëruar edhe me apatinë institucionale në themelimin e shërbimeve thelbësore për fuqizimin e familjeve dhe parandalimin e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku raste të tilla të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, vazhdojnë të rriten”.

“Dhuna seksuale ndaj fëmijëve ka pasoja shkatërruese dhe afatgjata për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të tyre. Ajo e dëmton zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, shpesh duke shkaktuar trauma të rënda, ankth, depresion dhe probleme me besimin në vete e tek të tjerët. Viktimat mund të kenë vështirësi me vetëvlerësimin, të kenë probleme në krijimin e marrëdhënieve dhe të përballen me vështirësi në mjedisin shkollor dhe social. Pasojat e abuzimit seksual i cili është edhe forma më e rëndë e abuzimit, lënë gjurmë të të mëdha në jetën e fëmijës”, thuhet në njoftim.

Back to top button