KOMF: Vrasja e 14 vjeçarit alarm për të gjithë

 
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar lidhur me vrasjen e 14 vjeçarit në Prishtinë.
Sipas këtij koalicioni ky rast duhet të jetë alarm për të gjithë.
“Duhet t’i thërrasë ndërgjegjes institucionale dhe ndërgjegjies sonë kolektive në mënyrë që masat parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e fëmijëve të ndërmerren në mënyrë emergjente.
Duhet investim i menjëhershëm në themelimin dhe fuqizimin e shërbimeve të integruara edukative, psikologjike dhe sociale në shkolla, krahas mësimdhënies, me qëllim të edukimit qytetar të fëmijëve dhe parandalimit të dhunës dhe sulmeve ndaj fëmijëve, të cilat fatkeqësisht si sot mund të përfundojnë me fatalitet. Themelimi dhe fuqizimi i shërbimeve të integruara të mësipërme do të mundësonte një mekanizëm efikas në identifikim dhe raportim të rasteve të tilla.”, thuhet në reagim.
Tutje KOMF ka bërë apel që të iu sigurohet mbrojtje fëmijëve e po ashtu kanë kërkuar që qasja institucionale të jetë efektive në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla.
“Jemi të shqetësuar për faktin që rastet tragjike parapare të fëmijëve të cilat kanë përfunduar me fatalitet, nuk kanë ndikuar aspak në reflektim, mobilizim, e as ngritje të nivelit të përgjegjësisë së të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës.”, thuhet në reagim.
Një 14 vjeçar ka vdekur sot rreth orës 07:30 si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga therja me thikë. Rasti ka ndodhur, në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë./21Media

Back to top button