Kaloni te përmbajtja kryesore

​Komisionerja Kos nesër në Prishtinë takohet me kryeministrin në detyrë Kurti

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret të premten në takim Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos. Pas takimit do të kenë konferencë të përbashkët për media, në orën 10:45, kumtoi Zyra e kryeministrit.

Vizita e së premtes në Kosovë do të jetë e para për komisioneren për zgjerim në BE, prejse ajo mori detyrën, në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.

Kos kishte planifikuar një vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike të atyre ditëve – presidentja Vjosa Osmani pati nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, më 6 mars meqenëse ky organ shtetëror nuk ia doli ta zgjedh kryetarin e shtetit, një ditë me herët, kur ishte afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë.

Vizita e së premtes i bie të realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja që mbahen në Kosovë, më 7 qershor.

Komisionerja për zgjerim e BE-së vjen në Prishtinë tri ditë pas deklaratës së fortë shpresëdhënëse që bëri gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (ku bëjnë pjesë shtate vende anëtare të Unionit, përfshirë shtetet mosnjohëse të Kosovës – Sllovakinë dhe Greqinë) në Bratisllavë të Sllovakisë, ku tha që siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button