Komisioni për Integrime Evropiane miraton tri projektligjet për FSK-në

Pas komisionit, tri projektligjet dërgohen në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që do të mbahet sot

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar tri projektligjet për FSK-në me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Deputetja Blerta Deliu tha se projektligjet në fjalë janë në përputhshmëri me legjislacionin evropian. Ajo tha se ndjehet mirë që sot si komision përmbyllën një obligim kushtetues, në të cilin u bashkuan pozita, opozita dhe komunitete).

Krahas përkrahjes që dhanë për projektligjin në fjalë, deputetët e LDK-së në këtë komision, dhanë vërejtjet e tyre. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj shprehu mbështetjen e tij për tri projektligjet, teksa dha vërejtjet e tij.

“Vërejtja ime dhe sugjerimi im është, duke marrë parasysh atë nëpër të cilën kalon Republika e Kosovës, mbetet e papranueshme që termi Republikë mbetet jashtë tri projektligjeve. Unë do t’i jap mbështetje, por ne me qëllim a pa qëllim, po rrëshqasim “, tha ai.

Ndërsa, deputeti Ismet Beqiri, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, ku nuk dallon pozita me opozitën.

“Ne s’kemi pse i ikim asnjëherë identitetit tonë të saktë që e sqaron identitetin tonë kushtetues. Ne nuk do të bëhemi pengesë, por në një të ardhme të afërt të bëhet përmirësimi i tij”, u shpreh ai.

Pas komisionit, projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe i amendamenteve të Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes dhe i amendamenteve të Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së dhe projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe i amendamenteve të Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, do të dërgohen në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, e cila do të caktojë datën se kur do të jenë në seancën plenare.

Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga ora 15:00 me kryetarët e grupeve parlamentare, ku ndër të tjera do të caktohet edhe seanca,  në të cilën do të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Back to top button