Kompania e autobusit që u aksidentua në Kroaci: Kjo tragjedi na preu rrugën

Kompania e autobusit kosovar, që është aksidentuar dje në Kroaci, ku kanë vdekur 10 persona, ndërsa janë lënduar dhjetëra të tjerë, sot ka deklaruar se me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojnë çdo sekond të tragjedisë, e cila siç është theksuar, do t’i përcjell gjatë gjithë jetës.
Kompania “Deva Tours” ka shprehur ngushëllime për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve në aksident.
“Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për t’a përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashkendjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkëudhëtuar shumë herë. Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugen dhe na mori me vete më të dashurit, dhe poashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, puntor i zellshëm dhe i kompletuar.”, është shkruar në deklaratën e kompanisë “Deva Tours”.
Tutje, kompania ka shtuar se janë pranë familjarëve me dhimbje të madhe.
“Duke ju faleminderuar organeve të shtetit Kroat dhe Kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje. Me mendje, zemer dhe lutje do të jemi qdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre.”, është shkruar tutje në deklaratën e kompanisë.
Ndryshe, autobusi i kompanisë “Deva Tours” është aksidentuar dje në mëngjes, në Slavonski Brod të Kroacisë, ku kanë vdekur 10 bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 kanë marrë lëndime më të rënda.
Në nder të 10 personave të vdekur në aksident, në Prishtinë mbrëmë janë ndezur qirinj, ndërsa dita e sotme është shpallur ditë zie./21Media

Back to top button