Komuna e Skënderajt ndan 164 bursa për studentë

164 studentë të Komunës së Skenderajt, sot nënshkruan kontratat e bursës komunale në vlerë 300 euro, kurse ditët në vijim do të ndahen edhe një numër shtesë i bursave nga përkrahja e donatorëve.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari theksoi që si qeverisje komunale i është dhënë prioritet përkrahjes së rinisë, duke krijuar kushte më të mira të arsimit, zhvillimit të aktiviteteve sportive, kulturore e rekreative si dhe duke i mbështetur të rinjtë në jetësimin e ideve të tyre kreative përmes përkrahjes me grante për start-up dhe zgjerim të bizneseve.
Jashari bëri të ditur se nga viti që vjen falë bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, do të ndahen 250,000.00 dollarë për të rinjtë e komunës sonë, në financimin e iniciativave, ideve dhe biznes planeve të tyre.
“Përmes këtij projekti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve tonë do të krijojmë vende të reja të punës dhe përgatitje të të rinjve me trajnime të ndryshme”, tha Jashari.
Tutje, ai u shpreh se pavarësisht sfidave që kemi tani si rezultat i pandemisë, përkrahja për të rijnë nuk do të mungojë asnjëherë, me ç`rast edhe bëri thirrje që të vazhdojnë rrugën e tyre të ngritjes profesionale./21Media

Back to top button