Kurti: Shtatorja e Vokrrit shënon sfidat që ka kaluar sporti kosovar

Sot, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ditëlindjen e 61-të të Fadil Vokrrit, u bë zbulimi i shtatores së tij, pranë stadiumit të kryeqytetit që me krenari bartë emrin e legjendës së futbollit kosovar.
Në ceremoninë përkujtimore për sportistin që u nda nga jeta tre vjet më parë, kryeministri Albin Kurti, para familjarëve të Fadil Vokrrit dhe të pranishmëve të tjerë, e kujtoi karrierën e Vokrrit dhe veprimtarinë e tij sportive.
Kryeministri foli për arritjet individuale të Vokrrit, në kohën kur çdo gjë ishte e vështirë, për emocionet që na jepte loja e tij, ku ritheksoi kontributin e pazëvendësueshëm e tashmë të ndjerit në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
“Fadilin e njohim si futbollist të talentuar e të suksesshëm, i cili përgjatë viteve të ’80-ta preku majat e suksesit në sport. Në po atë periudhë, Fadili ishte krenaria e gjithë Kosovës. Atëherë, kur në Kosovë, në çdo fushë tjetër gjërat ishin shumë të vështira, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi. E kam thënë edhe më herët, e them sa herë flitet për Fadilin: “Kur e merrte topin afër gjashtëmbëdhjetë metërshit, i gjithë stadiumi ishte në këmbë. E kur shënonte, të gjthë ishim në ajër.” Edhe kjo shtatore sot këtu, është ai momenti kur Fadil Vokrri e merr topin para vijës së gjashtëmbëdhjetë metërshit me shikimin tek këmbët e lojtarëve kundërshtarë që do t’i driblojë, dhe me shumë gjasa sa herë ia mësynte e hynte në gjashtëmbëdhjetë metërsh bëhej ose gol ose penallti. Përtej arritjeve në vend, ai arriti të luaj dhe të shënojë për klube të mëdha e të famshme të futbollit të asaj kohe”, tha Kurti.
Gjithashtu, si u shpreh se shtatorja e Vokrrit, shënon veprimtarinë e tij, sfidat dhe sakrificat që sporti kosovar ka kaluar për të qenë këtu ku është.
“Është tejet e rëndësishme që rrëfimet e sportistëve të asaj kohe të dokumentohen dhe përcjellen te gjeneratat e reja. Futbolli dhe sportet e tjera që u zhvilluan gjatë viteve të 90-ta, zënë vend të madh në rrëfimin e popullit dhe shtetit tonë. Andaj, përkujtimet e tilla, më specifikisht shtatorja e Fadil Vokrrit, shënon jo vetëm veprimtarinë e tij, mirëpo edhe sfidat dhe sakrificat që sporti kosovar ka kaluar për të qenë sot këtu.
Përveç rezultateve të Fadilit si sportist, të cilat ne i mbajmë mend e i kujtojmë, e gjeneratat e reja të cilat nuk e njohin Fadilin duke shënuar gola, e njohin atë porsi të gjithë ne tjerët si inicues dhe fitues të betejave të Federatës së Futbollit të Kosovës për pranim në UEFA dhe FIFA”, shtoi tutje kryeministri./21Media

Back to top button