Komuna e Studeniçanit ndihmon financiarisht familjet e viktimave të aksidentit në Bullgari

Komuna e Studeniçanit, pas mbledhjes së Këshillit Komunal, sot ka marrë vendim për të ndihmuar financiarisht familjet nga kjo komunë, që janë prekura në aksidentin tragjik në Bullgari.
Këshilli Komunal ka formuar edhe Komision, i cili do të jetë në kontakt me familjarët dhe do të mbikëqyrë procesin e shpërndarjes së ndihmave financiare.
“Sot Këshilli i Komunës së Studeniçanit në një seancë urgjente vendosi për ndarjen e ndihmës financiare për familjarët e të cilëve kanë humbur jetën në aksidentin tragjik që ndodhi një ditë më parë në Bullgari, në shenjë solidarizimi me familjarët e tyre. Këshilli komunal formoi edhe komision me 2 përfaqësues të Këshillit Komunal dhe 1 të punësuar nga administrata e Komunës të cilët do të vendosin për ndarjen e këtyre mjeteve dhe për proçesin e kufomave të jenë në kontakt me familjarët e tyre dhe për çdo lloj ndihme tjetër”, është bërë e ditur mes tjerash në njoftimin e Komunës.
Një autobus i kompanisë “Besa trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, dje në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media

Back to top button