Komunat “dorështrënguara” të Pollogut, nuk ndajnë para për mbeturinat

 
Mbi 1.5 milionë euro ka dhënë Zvicra, me qëllimin që në komunat e Pollogut të themelohet një ndërmarrje për menaxhim me mbeturina, por komunat e këtij rajoni nuk arrijnë të ndajnë 2 deri në 5 mijë euro nga buxheti i tyre që të fillojë të funksionojë ndërmarrja publike për grumbullimin e mbeturinave “Pollog Rusino”. Fatmir Saiti, drejtor i Qendrës për Zhvillim të rajonit të Pollogut thotë se nga 9 komunat që është dashur të paguajnë, deri më tani vetëm dy, ajo e Gostivarit dhe Tearcës, kanë dhënë para.
“Në mbledhjen që pata me kryetarët e komunave u vendos që deri më 15 qershor të gjithë të realizojnë këtë pagesë, varësisht nga komunat, nga dy mijë euro deri më pesë mijë euro”, tha Saiti.
Arsyeja e kësaj, sipas Saitit, është se komunat nuk kanë motiv që të paguajnë sepse nuk mund të hedhin mbeturinat në Rusino. Shton se për një muaj do të përfundojnë realizimi i kërkesave të protestuesve të “Stop Rusino”, e pas kësaj komunat do të mund ta përdorin këtë zonë për të hedhur mbeturinat.
“Kemi një situatë ku komunat nuk mund të dërgojnë mbeturinat në “Rusino” ndërsa duhet të paguajnë për këtë ndërmarrje, pra  edhe motivi i tyre nuk ka qenë në nivelin që duhet të jetë mu për këtë shkak,  besoj se për një muaj do i përfundojmë këto punime, pra do përfundojmë peshoren matëse dhe shtëpizën për ta kontrolluar këtë,  mbaroi faza e asfaltimin dhe rruga është e asfaltuar deri lart,  kemi edhe një shtëpizë  në hyrje në rrugën që të shpie në Rusino”, shtoi drejtori i QZHRP.
Tani për tani komunat i hedhin mbeturinat në deponinë Drislla, ndërsa sipas Saitit, pas një muaj do të kenë të drejtë t’i hedhin në Rusino, gjë për të cilën ndërmarrjet publike do të paguajnë për kilogram. Mbeturinat janë mbetje me të cilën rajoni i Pollogut përballet kohë të gjatë. Djegia e tyre në deponinë Rusino, nxiti protesta në Gostivar, çka solli bllokim rrugësh për të ndaluar hedhjen e mbeturinave.  Pas një marrëveshjeje mes komunave dhe Ministrisë së Mjedisit, u la që pas plotësimit të disa kushteve, në këtë deponi mbeturina të mund të hidhen nga pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme. Ndërmarrja “Pollog Rusino” është themeluar më 31 dhjetor të vitit 2020, por si pasojë e neglizhencës së komunave ende nuk ka nisur të funksionojë./TV21

Back to top button