Komunat e VV-së i dalin kundër padisë së Asociacionit të Komunave

Kryetarët e katër komunave në vend të cilat udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, konkretisht i pari i Shtimes, Qemajl Aliu, kreu i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni si dhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj i dolën kundër padisë së Asociacionit të Komunave.
Bulliqi ka thënë se padia do të ishte më me kuptim, po të bëhej në vendin e duhur.
“Një padi e tillë do të duhej drejtuar ministrave që kanë nënshrkuar dhe asnjëherë si kanë ndjekur rrugët ligjore për zbatimin e kontratave kolektive. Andaj ne mendojmë se inicimi i kësaj padie nga AKK-ja edhe një herë dëshmon se AKK është kthyer në një vegël politike. Ne si kryetarë të komunave jemi të interesuar në zgjidhjen e problemit që prek punëtorët e sektorit publik, por jo të keqpërdoret nga AKK-ja. Dihet se cila qeveri ka nënshkruar këto kontrata dhe sigurisht që në kohën e nënshkrimit ky asociacion ka qenë i udhëhequr nga po këta njerëz. Ne mendojmë se e gjitha është karakter politik me qëllim që të krijohet pakënaqësi”, u shpreh Bulliqi.
Bulliqi u shpreh se jo vetem ne si komuna që udhëhiqen nga LVV, por pak a shumë në të gjitha komunat janë duke u realizuar këto kërkesa të sektorit publik. Sipas tij duhet të ketë një zgjidhje, por jo politike.
“Sigurisht që si komuna jemi të dëmtuara sepse një sasi e madhe e buxhetit tonë është kah shkon përmes proceseve të ndryshme gjyqësore dhe sigurisht që jo vetem ne si komuna por pak a shumë në të gjitha komunat janë duke u realizuar këto kërkesa të sektorit publik. Unë besoj që kjo duhet të ketë një zgjidhje por zgjidhja nuk duhet të jetë politike, çfarë po pretendohet ta bëjnë sepse edhe AKK e di që kjo kontratë është nënshkruar pa bazë ligjore sepse ministritë përkatëse nuk kanë ndjekur bazën ligjore për ta vënë në funksion dhe në shërbim të punëtorëve publik”, tha ai.
Lidhur me deklarimin e ish kryeministrit, Avdullah Hoti se projekte po përfitojnë vetëm komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Bulliqi tha se kjo nuk qëndron dhe se Qeveria Kurti po mbështet të gjitha komunat pavarësisht orientimit politik.
“Diçka e tillë nuk qëndron sigurisht që zoti Hoti ka vepruar në këtë mënyrë në punën e qeverisjes së tij sipas të gjitha gjasave dhe tash mbetet në mendjen e tyre qe diçka e tillë po ndodh për arsye se qeveria Kurti është duke i trajtuar barabarsisht të gjitha komunat pavarësisht orientimit politik”, u shpreh ai.
Kujtojmë që, ASK ka dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Ministrisë së Shëndetësisë për kontratat kolektive./21Media

Back to top button