“Komunat në prag të balotazhit”, analistët nuk shohin fitues të qartë në zgjedhje
(Lajm i përditësuar)
Zgjedhjet lokale, Canaj: Gjini mund të shkojë pa balotazh – Mimoza Kusari-Lila mund të ndikoj
Analisti politik, Blerim Canaj në emisionin “Click” të RTV21 tha se kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini mund të fitojë pa balotazh.
Ai shtoi se tek gjakovarët mund të ndikoj Mimoza Kusari-Lila.
“Po e marrim Ardian Gjinin në Gjakovë që nuk e ka pasë nivelin qëndror AAK-ja. Gjakova për katër vite sa ka ndryshuar është e pa imagjinueshme, edhe tash secili qytetarë e ka arsyjen me pasë dëshiren ta ketë një kryetar të tillë të komunës, shto këtu edhe faktin që ky ku kish kundër kandidat. Po aty i jap të drejtë që ai mund të shkojë pa balutazh, por pastaj i frigohem pjesës tjetër që gjakovarët e kanë atë inatin e tyre pak, Mimoza Kusari-Lila mundet me ndiku”, deklaroi Canaj.
“Komunat në prag të balotazhit”, analistët nuk shohin fitues të qartë në zgjedhjet e 12 tetorit
Në emisionin “Click” në RTV21, analistët politikë Blerim Canaj, Magbule Shkodra dhe Gëzim Kasapolli kanë analizuar fushatën zgjedhore të kandidatëve për kryetarë të Komunave, si dhe programet e tyre.
Sipas tyre, gara mbetet e hapur në shumë komuna, me dallime të theksuara nga njëra zonë në tjetrën.
Canaj sheh balotazh pothuajse në të gjitha komunat, përveç Skenderajt dhe Ferizajt.
“Sipas të gjitha gjasave, përveç në Skenderaj dhe në Ferizaj, të gjitha komunat tjera i shoh në balotazh. Komunat më të mëdha, pothuajse të gjitha, përfshirë edhe Pejën, nuk pritet të kalojnë 50% që në raundin e parë”, tha Canaj.
Shkodra, në anën tjetër, përjashton Suharekën nga gara e raundit të dytë dhe shpreh dilema për Gjakovën, Rahovecin e Shtimjen.
“Suhareka nuk do të shkojë në balotazh. Kam dyshime nëse Gjakova do të shkojë ose jo në balotazh. Dyshim ka edhe në Rahovec, pasi nuk ka një kundërkandidat të fortë që do ta çonte në balotazh. E njëjta situatë vlen edhe për Shtimjen”, tha Shkodra.
Ndërkohë, Kasapolli vlerëson se Vetëvendosje do të humbë terren, duke nënkuptuar sfidë serioze për partinë në pushtet në disa komuna, përfshirë Podujevën.
“Vetëvendosje do të humbasë terren. Skenderaj dhe Ferizaj janë të vetmet komuna që mund të shkojnë pa balotazh. Peja është afër, po ashtu edhe Shtimja, por dyshoj që do ta kalojë 50-shin. Podujeva është problematike. Pro shoh që era po fryn kah Ekremi. Shpejtimi mund ta humbasë komunën në balotazh”, tha Kasapolli.