Konfirmohen dënimet për “Tankun”, Jankullovska në burg, Gruevski mbetet në Budapest

 

 

 

Refuzohen ankesat e tre të dënuarve për blerjen e Mercedesit luksoz prej 600 mijë eurove – vendosi Gjykata Supreme në Maqedoninë e Veriut, pas zvarritjes prej një vjet.

-Me aktvendimet e sjella, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i refuzoi kërkesat e të dënuarve që i dorëzuan personalisht dhe përmes avokatëve të tyre dhe i konfirmoi aktvendimet e Gjykatës së Apelit – Shkup.

Me këtë janë konfirmuar dënimet me burg prej dy vjetëve për Nikolla Gruevskin, katër vjet për Gordana Jankullovska dhe 4.5 vjet heqje lirie për Gjoko Popovskin.

Jankullovska është e vetmja e cila do të marrë akt udhëzues për në burg, për shkak se ish-kryeministri Gruevski është azilkërkues në Hungari, ndërsa Popovski tashmë është në burg.

Partia VMRO-DPMNE me reagim.

-Gordana Jankullovska do të shkojë në burg. E gjykuan pa prova për shkak se nuk pranoi t’i shërbejë Zaevit. Kjo nuk është drejtësi por vetëm mënyrë që të tërhiqet vëmendja nga skandalet e vërteta, krimet dhe  dështimet e mafisë në pushtet. Jankullovska ishte sekretar e përgjithshëm e VMRO-DPMNE-së dhe këtu shënjestër nuk është Jankullovska por VMRO-DPMNE-ja,-shkruan Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.

Nga Budapesti u paraqit Gruevski. Thotë se nuk është i befasuar nga vendimi i Gjykatës Supreme, duke shtuar se nuk ekziston reformë ose ligj që do të ndryshojë diçka në gjyqësorin e Maqedonisë.

-BE-ja mund të publikojë raporte sa të dojë për progresin ose t’i përshëndesin ligjet e miratuara, por derisa gjykatësit funksionojnë nën presion dhe frikë nga pushteti ekzekutiv se mund të dënohen nëse nuk janë të dëgjueshëm, përkatësisht derisa pushteti ekzekutiv punon në bazë të  parimit të mafisë, progres real nuk do të ketë, shkruan Nikolla Gruevski, i dënaur në “Tanku”.

“Tanku” për Gruevskin ishte edhe vendimi i parë gjyqësor për të cilin duhej të vuaj burg, por duke e pritur që të paraqitet në Institucionin ndëshkimor, ai u paraqit nga Budapesti ku tha se kërkon azil. Ministria e drejtësisë disa herë deri më tani ka kërkuar ekstradim, por kjo nuk ndodhi. Ditëve në vijim do të dërgojnë edhe kërkesë të re.

Gjykatësit suprem që e sollën vendimin tani duhet të shkruajnë arsyetim, më pas punën e merr Gjykata penale ku e dënuara ka të drejtë të kërkojë prolongim nëse plotëson ndonjërën prej 8 pikëve të parapara me ligj. Më pas Ligji jep të drejtë që të ankimohet vendimi i gjykatësit para Këshillit penal me qëllim që procesi të zgjasë disa javë.

Nga lëndët e PPS, kjo është lënda e parë që kaloi në Gjykatën supreme, ndërsa Jankullovska është e para nga ministrat e atëhershëm që duhet të hyjë në burg. Ajo përgjigjej për keqpërdorimin e postit zyrtarë, nën ndikim të Gruevskit e ka inkurajuar Popovskin që të bëjë tender joligjor me të cilin do të favozojë blerjen e automobilit luksoz. Gruevski u akuzua për vepër penale – pranim të shpërblimit për ndikim joligjor./TV21

Back to top button