Shtyhet vendimi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.
Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë për rtk-në avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i cili në një përgjigje për RTK ka konfirmuar saktësinë e informacionit të raportuar në media.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiq në përgjigjen e tij në pyetjen nëse raportimi për shtyrjen e vendimit për 20 korrik është i saktë.
Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.
Kësisoj epilogu i një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 20 korrik 2026.