Konfiskohet një pistoletë me 19 fishekë dhe vetura që u përdorë në rastin e vrasjes së Liridonës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me arrestimin  e tre të dyshuarve lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, mbrëmjen e 29 nëntorit.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

“Lidhur me rastin, janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur rast. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar edhe Naim Murselin që dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Portali “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se i dyshuari e ka pranuar para hetuesve policorë se e ka porositur vrasjen e gruas.

Liridona Murseli, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën vonë në rrugën “Dalip Alshiqi” në kryeqytet.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha në një postim në rrjetin social Facebook se “njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, tha ajo./21Media

Back to top button