Kongresistët: Palët politike të zgjidhin mosmarrëveshjet

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi

Kongresistët amerikanë që zhvilluan një vizitë zyrtare një ditë më parë në Tiranë, kanë këshilluar palët politike të bashkohen dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, përmes një deklarate bëri të ditur se një delegacion me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, udhëhequr nga kongresisti Bob Goodlatte, kreu një vizitë në Shqipëri të mërkurën, gjatë së cilës nënvizoi partneritetin strategjik midis ShBA-ve dhe Shqipërisë, rëndësinë e reformës në drejtësi për vendin, dhe çështje rajonale.

“Përfaqësuesit Steve King, Matt Gaetz, Dave Trott, David Cicilline dhe Peter DeFazio iu bashkuan Goodlatte, i cili shërben si Kryetar i Komitetit të Drejtësisë të Kongresit, gjatë takimeve me presidentin Bujar Nishani, presidentin e zgjedhur Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Anëtarët e delegacionit i nxitën të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë. Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Back to top button