Konjufca i kërkon guvernatores së Iowas vazhdim të mbështetjes së SHBA-së në integrimin euroatlantik

(Lajm i përditësuar)

Konjufca i kërkon guvernatores së Iowas vazhdim të mbështetjes së SHBA-së në integrimin euroatlantik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, e cila po qëndron për vizitë në vendin tonë.

Në takimin u shkëmbyen pikëpamje rreth zhvillimeve politike në vend e rajon, si dhe u bisedua për mundësitë e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit.

Kryetari Glauk Konjufca falënderoi Guvernatoren Reynolds për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës dhe për gjithë mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë në vazhdimësi vendit tonë.

Në këtë pikëpamje, kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, partneritetin e palëkundur dhe miqësinë e përhershme mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke potencuar përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj vlerave të lirisë, barazisë dhe demokracisë, mbrojtjes së integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë, kryetari Konjufca ritheksoi se integrimi euroatlantik është dhe mbetet prioritet i shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës ka para vetes procese të rëndësishme drejt integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në mekanizma e organizata ndërkombëtare. Në të gjitha këto procese presim vazhdimin e mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë partnerëve tanë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Guvernatorja Kim Reynolds, duke shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e deritashme midis shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës, theksoi gatishmërinë për të zgjeruar më tej gamën e bashkëpunimit reciprok dhe me fusha të tjera, përfshirë atë parlamentare.

​Konjufca takoi guvernatoren e Shtetit të Iowa-s

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim guvernatoren e Shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds.

Gjatë vizitës në Kosovë, Reynolds ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani.

Ajo ka premtuar fuqizim të bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë ndërsa ka përmendur edhe bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit.

Pas takimit me presidenten Osmani, ajo ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera.

Back to top button