Konjufca: Kadare për Kosovën bëri gjithçka që mund të bënte një intelektual i përmasave planetare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panairit të Librit, me moton “Libri Triumfon”, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Mysafir i veçantë në hapjen e panairit ishte shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, bashkë me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Elena Kadare.

Në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca tha se libri është institucion i gjuhës, të shprehurit dhe rrëfimit, dhe si i tillë është formë bazike e konstitucionit human. “Duke e konsideruar shtëpi të përbashkët të shkrimtarit dhe lexuesit, kryetari Konjufca tha se libri është mishërim i idesë dhe për rrjedhojë është i pashterueshëm”.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit janë mbledhur në të shkuarën dhe do të takohen gjithmonë edhe në të ardhmen për të festuar librin, siç po bëjmë ne sot”, tha kryetari Konjufca.

Duke folur për figurën e shkrimtarit Ismail Kadare, kryetari Konjufca tha se letërsisë shqipe ia siguroi një vend të pavdekshëm në atë që vetë e quan “letërsia universale”.

“Ismail Kadare gjithnjë ka qenë dhe është forcë gjigande e ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Ai për Kosovën bëri gjithçka që mund të bënte një intelektual i përmasave planetare. Kosovës i kushtoi edhe vepra dhe e kërkoi me ngulm lirinë tonë. Ishte zëri ynë kolektiv kudo që shkoi, në çdo intervistë, në çdo paraqitje, në secilin takim me figurat e rëndësishme politike të kohës”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit përmendi edhe sensibilizimin që Kadare bëri në politikën ndërkombëtare për burgosjen e Ukshin Hotit nga Serbia.

“Për shkak të kontributit të tij për kulturën dhe letërsinë në planin kombëtar, por edhe atë universal, si dhe për punën e tij të palodhshme për lirinë e Kosovës dhe për emancipimin e kombit shqiptar, Ismail Kadare është ngritur në simbolin më të lartë e kuptimplotë për popullin tonë”, theksoi kryetari Konjufca.

Një fjalë rasti mbajti edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, i cili edhe bëri hapjen zyrtare të Panairit të Librit 2023.

Shkrimtari Ismail Kadare ndërkaq u shpreh falënderues për pritjen në këtë ditë kaq të veçantë për librin, me dëshirën që populli shqiptar të mbërrijë ditë më të lumtura e më të ndritshme./21Media

Back to top button