Konjufca: Me projektin Law Data, niveli i demokracisë dhe transparencës është më i lartë

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u prezantua projekti “Zhvillimi i Shërbimit Informativ Ligjor (Laë Data).
Qëllimi i këtij projekti është fuqizimi dhe promovimi i transparencës dhe efikasitetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve të tjera shtetërore të sundimit të ligjit në Kosovë.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës, duke shprehur mirënjohje dhe duke vlerësuar lart ndihmën e shtetit të Norvegjisë për Kosovën.
Sipas Konjufcaës , ky projekt në esencë përputhet me rolin e Kuvendit, meqë Kuvendi ka një rol qendror në zhvillimet politike prej miratimit të ligjeve e deri te mbikëqyrja e Qeverisë.
“Kuvendi është shtëpi e qytetarëve, ngase të zgjedhurit e tyre janë këtu dhe mendoj se duhet të jetë një shtëpi me dyer të hapura. Pra ky projekt ka për qëllim transparencën, sepse qytetarët duhet të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe shumë të lehtë në legjislacion e përfshirje. Në Kuvendin e Kosovës, deri më tani, qytetarëve u jepej një dimension i kufizuar. Qytetarët duan të dinë formën përfundimtare të ligjeve, duan të dinë se cila është ajo formë që ua rregullon jetën atyre dhe çka ata mund të përfitojnë më shumë prej demokracisë dhe legjislacionit”, tha Konjufca.
Ndërsa, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, tha se ky projekt ka për qëllim që të rrisë transparencën e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm të Kuvendit, pasi që, siç tha ai, ky projekt do të përfshihet edhe në institucione të tjera të Republikës së Kosovës
“Ky është një format i ri që u mundëson monitorimin e ligjeve të gjithë atyre që janë të interesuar, rëndësinë dhe rolin e tyre në jetën e qytetarëve”, theksoi ambasadori Grøndahl.
Gjatë prezantimit, menaxheri i projektit Kare Vollan tregoi se si do të funksionojë Shërbimi Informativ Ligjor. Ai tha se me anë të këtij shërbimi kushdo që dëshiron mund të shoh ndryshimet e mundshme që i bëhen një ligji.
Ky projekt, sipas tij, do të realizohet edhe në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore./21Media

Back to top button