Konjufca për Mbretëreshën: Do ta kujtojmë më mall personalitetin e saj të mahnitshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka shprehur ngushëllime Mbretit Charles III për vdekjen e Mbretëreshës, Elizabeth II.
Konjufca përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Facebook”, tha se Mbretëresha Elizabeth II ia kushtoi tërë jetën e saj shërbimit publik me integritet dhe udhëheqje për shtatë dekada me radhë
“Përkushtimi, udhëheqja dhe trashëgimia që ajo la në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën, do të frymëzojnë edhe brezat që do të vijnë. Vlerat për të cilat ajo u angazhua ishin ndër vlerat më të larta njerëzore: dinjiteti, uniteti, respekti, puna e palodhshme dhe dhembshuria. Ajo ishte një model i mrekullueshëm përkushtimi në shërbim të popullit gjatë gjithë jetës. Në kujdesin dhe kontributin e saj ishte edhe vendi ynë, Kosova. Do ta kujtojmë më mall personalitetin e saj të mahnitshëm, punën e palodhur dhe shërbimin besnik. I dërgojmë ngushëllimet tona më të përzemërta djalit të saj, Mbretit Çarlsit të Tretë, Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë Komonuelthit. Faleminderit Mbretëreshë dhe u prehsh në paqen e Perëndisë”, ka shkruar ai.
Monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, Mbretëresha Elizabeth II vdiq të enjten në Balmoral në moshën 96-vjeçare./21Media

Back to top button