Konjufca: Policët e rënë në krye të detyrës janë heronjtë e shtetndërtimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot me rastin e Ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, bëri homazhe dhe vendosi lule te lapidarët e policëve të rënë në krye të detyrës.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e kësaj dite, Konjufca tha se Policia e Kosovës me punën dhe organizimin e saj të palodhshëm ka arritur që të shënohet si institucioni më i besueshëm i popullit tonë. Në këtë rrugëtim, shtoi kryetari i Kuvendit, 21 policë ranë në krye të detyrës, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Kreu i Kuvendit tha se institucioneve u mbetet të punojnë më shumë në arritjen e idealeve të heronjve tanë, për të garantuar mbrojtjen dhe ndërtimin e sigurt të Kosovës.
“26 korriku është data e heronjve tanë policë. 21 policët e rënë në krye të detyrës janë heronj të shtetndërtimit, të sundimit të ligjit, demokracisë dhe paqes në vendin tonë”, tha Konjufca.​/21Media

Back to top button