Konjufca: Raportet Kosovë-ShBA s’janë për panik, kritikat e tyre janë me vend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se i mirëkupton plotësisht vërejtjet dhe kritikat e Shteteve të Amerikës, të cilat tha se janë me vend pasi “SHBA-ja vendin tonë e sheh nga një nivel shumë më i lartë sesa që e shohim ne”, porse theksoi se raportet mes dy vendeve nuk janë për t’u shqetësuar. Ai tha se SHBA-ja e sheh Kosovën me një perspektivë më të lartë dhe për këtë arsyeje duhet të mirëkuptohen edhe kritikat e tyre.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore për gazin lotsjellës, Konjufca tha se është e drejtë e Kosovës që të shtrijë sovranitetin në vend.
“Nuk janë raporte për t’u shqetësuar dhe për të bërë panik, raportet janë përtej këtyre, ndryshimit në perceptimin që e kemi se si të veprohet në pjesën e veriut të Kosovës. I mirëkuptojmë plotësisht vërejtjet dhe kritikat që na japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë kritika me vend sepse SHBA-ja vendin tonë e sheh nga një nivel shumë më i lartë sesa që e shohim ne, e shohin në rajon, Evropë dhe proces global. Si e shohim ne është e drejta e Kosovës se si me shtri sundimin e ligjit dhe sovranitetin e tij, kjo është perspektivë më e ulët më e ngushtë, por është e të drejtës së Kosovës për t’i kryer punët e saj”, tha Konjufca.
Kryetari i Kuvendit theksoi se Amerika është e shqetësuar se serbët mund të acarohen dhe të keqpërdorin situatën aktuale.
Konjufca shtoi se mund të gjendet një mes i përbashkët mes të dy palëve dhe se qeveria është duke e bërë këtë.
“Mirëkuptojmë kritikat e SHBA-së, por unë thashë që nuk janë për panik, është gabim të vendoset aq vëmendje e madhe duke e shpërfaqur një rrezikshmëri për Kosovën, kjo mendoj që nuk është shëndetshme as për sigurinë tonë kombëtare, vërejtjet e tyre natyrisht nuk kanë lidhje me legalitetin e veprimeve tona, ata na japin neve të drejtë por duhet më shumë përgatitje kanë thënë ata, sepse kjo mund të acarojë serbët dhe mund të shfrytëzojë dikush situatën për të keqpërdorur këtë gjendje dhe për të bërë ndonjë protestë. Kur ka protesta ka tensione, dhe rrezikohet siguria kjo është perspektiva e SHBA-së. E jona është që mund të bëhen këto veprime, tash a mund të gjendet një mes dhe t’i bëjmë këto veprime dhe të ndajmë këto informacione dhe besojë që është e mundshme dhe besojë që qeveria është duke e bërë”, shtoi Konjufca.