Konjufca arsyeton veprimin e Kurtit: Rama mund t’i ndihmojë më shumë Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Raportet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama janë lënduar, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Megjithatë, ai shtoi se kjo do të rregullohet së shpejti dhe takimi i dy kryeministrave shqiptarë mund të ndodhë.

Pas takimit me kryeministrin Rama të enjten, Konjufca, arsyetoi veprimin e Kurtit që mos të pres në takim homologun e tij nga Shqipëria.

“Mendoj se nuk është një acarim i raporteve, aq që mos të takohen fare. Ajo si është ndje Republika e Kosovës po e shpjegoj, pasi ashtu janë ndjerë edhe qytetarët. Unë do të kisha përdorur shprehjen lëndim, kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së dy qeverive, por jo aq të lënduar sa mos të presim fare zotëri Ramën. Ne gjithmonë duhet të shikojmë nga këndvështrimi i interesit të kombit tonë. Natyrisht, mendoj se kjo do të rregullohet së shpejti, ata do të takohen së shpejti edhe nëse jo sonte”, tha ai.

Konjufca nënvizoi se anulimi i mbledhjes së dy qeverive nuk mund të kapërcejë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Kjo ka qenë ide e kryeministrit dhe duhet të respektohet. Ndonjëherë kështu funksionojnë marrëdhëniet mes shteteve kur t’i dëshiron të përçosh një porosi të caktuar se ke qenë i lënduar. Kjo nuk është një çështje që duhet të kapërcejë thuajse nuk ka ndodhur asgjë pasi kjo përjetohet atëherë si paternalizëm”, shtoi Rama.

Krahas kësaj, ai theksoi se Rama mund t’i ndihmojë shumë më shumë Kosovës seç po bënë aktualisht.

“Ndihma e Republikës së Shqipërisë është e pazëvendësueshme. Zotëri Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë seç po e bënë aktualisht. Republikën e Kosovës në këto përpjekje tona të cilat janë me të vërtet shtetërore dhe kushtetuese për të vendosur rend dhe ligj në një pjesë të territorit të Kosovës të mos e shohin Kosovës si fajtore. Këtu nuk ka fajtor, këtu mundet me pas më shumë përgjegjësi e cila gjithmonë tek ne është pozitive, jo me veprime të drejtuara kundër qytetarëve serb, por me ushtrua kushtetutshmërinë tonë elementare në të gjitha institucionet e vendit”, deklaroi Rama.

Teksa edhe paraqiti tri raste, që sipas tij Shqipëria e ka dëmtuar në pozicione Kosovën.

“Ne patëm një krizë në 2017-n, kur u duk se sikur për Kosovën, edhe Republika e Shqipërisë po është në anën e opsionit të shkëmbimit territorial. Mendoj se kjo e dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar edhe ideja e ‘Ballkanit të Hapur’, sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova. E tash e treta është kjo që po e dëmton Republikën e Kosovës, kur ne jemi në të drejtën tonë dhe ku nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë. Prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova mundet vetëm të dëmtohet”, shtoi ai.

I pyetur për propozimin e Ramës për Asociacionin, Konjufca tha se elemente të tij përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë.

“Ai ka ndarë elemente të Asociacionit, mirëpo ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua më është dukur se në elemente të caktuara të propozimit të zotëri Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me interesin e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Rama u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Rama po qëndron në Kosovë, në kuadër të një takimi dyditor ballkanik, që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka refuzuar të flasë për gazetarët pas takimeve që ka mbajtur në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ai ka thënë se nuk do të flasë pasi nuk e ka “homologun” aty.


Konjufca në takim me Ramën

Pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në takim e priti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Takimi i Konjufcës me Ramën tashmë ka filluar.

Presidentja  e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën gjatë takimit kanë diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, siç tha ajo me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.

“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj Facebook.

Në takim me Ramën e Osmanin ishte edhe ambasadori amerikan, Jefrrey Hovenier, mirëpo i njëjti nuk u prononcua për media pas përfundimit të takimi./21Media

 

Back to top button