Konstatime kontradiktore të lidershipit serb lidhur me provat për vrasjen e Ivanoviqit

5 vjetori i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, e gjeti të ndarë lidershipin serb. Të hënën kur edhe u përkujtua, Serbia nuk pati çfarë të thoshte për ndriçimin e rastit, ndonëse tri vite më parë presidenti serb Aleksandar Vuciq pati thënë se janë afër gjetjes së kryerësve.
Ishte kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ajo që e demantoi Vuciqin, kur në një konferencë për media tha se ende nuk i kanë emrat e vrasësve dhe as dëshmi të mjaftueshme.
“Ne ende nuk i kemi emrat (e vrasësve të O. Ivanoviqit), dhe deri më tash nuk kemi prova të mjaftueshme”, ka thënë Bërnabiq.
Ndërsa më 16 janar 2018, ditën e vrasjes së Ivanoviqit, Vuciq në prezencë të Bërnabiqit pati thënë se shumë shpejt do të dilnin me rezultate.
“Nëse ata nuk gjinden nga Policia e Kosovës, ne do t’i gjejmë ata. Nëse ata nuk gjinden nga Policia e Kosovës, atëherë do t’i gjejmë ne dhe do t’i gjykojmë. Ndoshta do të jenë ata që i kanë djegur veturën (O. Ivanoviqit), ndoshta jo. Unë jam i bindur se rezultati do të vijë shpejt”, pati thënë Vuciq.
Oliver Ivanoviq u vra me 6 plumba, më 16 janar të vitit 2018. Për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës, më 19 tetor, ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb, me dyshimin se ai ishte anëtar i “grupit të organizuar kriminal”, i cili ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Me vrasjen janë ndërlidhen edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (afarist). Ndaj tyre nuk është ngritur aktakuzë, sepse ata ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë./KP

Back to top button