Hoxhaj: Qeveria e Kosovës pa strategji në luftën diplomatike kundër Serbisë

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas lajmit se Togo ka tërhequr njohjen e Kosovës, duke thënë se Qeveria duhet të sqarojë nëse vendit tonë i janë tërhequr disa njohje.
Hoxhaj ka thënë se “kur një shtet në rrafshin bilateral e tërheq njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit, sikurse Togo dje, duke marr vendim politik, përcjellë qëndrim me shkrim përmes notës verbale dhe lëshon komunikatë publike në Beograd, është goditje në zemër pozitës ndërkombëtare të shtetit tonë dhe një skandal i madh i politikës të jashtme të dështuar të Kosovës”.
Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka strategji as plane në luftën diplomatike kundër Serbisë.
“Tërheqja e disa njohjeve ka ndodhë dhe mjerisht do të ndodhë, sepse Serbia po i bënë fushatë të egër Kosovës kudo, ndërsa askush nga Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që kanë njohur pavarësinë, as nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende, as nuk i thërret në telefon askush, as nuk e dijnë se ku gjenden në hartë, çfarë flamuj kanë ose si quhen kryeqytetet e tyre! Nuk kanë as strategji, as plane në këtë luftë diplomatike kundër Serbisë, por dorëzim dhe nënshtrim të plotë ndaj saj!”, ka shkruar tutje Hoxhaj në Facebook.
Ai tutje ka thënë se sa ka qenë ministër i jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete.
“Sot, qeveria duhet të sqarojë nëse Kosovës i janë hequr disa njohje! Ka të bejë me interesin vital të Kosovës dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe ministrja e jashtme për këtë dështim!”, ka thënë Hoxhaj.
“E nëse mendoni që po flas sepse jam opozitë dhe jo nga keqardhja për goditjen që po e pëson Kosova, jam i gatshëm të jem edhe më konkret rreth kësaj teme, duke nxjerr liderët institucionalë gënjeshtarë të mirëfilltë, të tillë sikurse ishin dhe janë! Ata nuk kanë nevojë ta nxjerrin inatin dhe mllefin përbrenda që kanë kundër opozitës brenda Kosovës, por duhet të heqin dorë nga betejat e humbura të fëmijërisë politike dhe të hartojnë një strategji e plane për luftën e egër diplomatike të Serbisë kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj./21Media

Back to top button