Kontributi i mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, SBASHK paralajmëron se do t’i drejtohet Kushtetueses

Kontributi i mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, ndonëse njihet si përvojë, nuk është përfshirë në pensionin kontributdhënës.

Mosnjohjen e këtij kontributi, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, po e cilëson si një diskriminim. Për këtë çështje, SBASHK-u ka vendosur që ligjin për Skemat pensionale të financuara nga shteti, ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“…me këto ndryshime u godit edhe ligji që i mbron vitet e 90-ta që vitet kontributdhënëse të numëroheshin deri me datën 31 tetor. Tash ndryshimi thotë se kjo nuk vlenë por bëhet llogaritia e viteve të kontributit, pra në vend se të ju njihen si vite kontributdhënëse edhe të dëbuarve nga puna ju hoqën atyre por edhe neve. Dhe i vetmi gëzim është se mund të arrijmë disi te kriteri i 15 por pagesa do të bëhet vetëm për vitet deri më 1 janar 1990 që konsideroj se është mohim i një të drejte të fituar, eshtë prekur pdrejtësisht ligji dhe ne presim shumë nesër nga takimi me avokatin e popullit dhe do të japim gjithë argumentet që ta dërgoj lëndën në kushtetuese për ti përmirësuat këto goditje sepse po na mohohet e drejta e fituar…”, tha Jashari për RTV21.

SBASHK ka kërkuar takim me Avokatin e Popullit, në mënyrë që përmes këtij institucioni të adresohet ky shqetësim.

“Konfirmoj se me kërkesë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, ditën e mërkurë në orën 10:00 do të zhvillohet takimi me Avokatin e Popullit. Arsyeja e takimit është biseda për skemat pensionale”, tha Petrit Çollaku, zëdhënës “Avokati i Popullit”

Pritjet nga Qeveria Kurti për skemën pensionale kanë qenë të mëdha, thotë për RTV21 Jonuz Salihaj, njohës i arsimit. Sipas tij, as kjo Qeveri e as të tjerat nuk kanë pasur kujdes për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, të cilët ishin shtyllë e shoqërisë dhe arsimit në atë periudhë.

“…unë do të pres që kjo çështje do të zgjidhet që përshkallëzimi të jetë në fuqi, që të mos cenohet ligji për statusin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta se është një ligj shumë i rënëdësishëm për mësimdhënësit dhe ai e çmon e respekton këtë kontribut dhe nuk guxon të preket. Fundja fundes e drejta e fituar nuk mund të mohohet me asnjë vendim tjetër, sepse askush ska të drejtë me ia ulë dikujt pagën, te drejtën e fitume ose mos me i dhanë kontributet qe dalin nga ky ligj. Unë pres që kjo çështje të shkoj në gjykatë dhe të zgjidhet në favor të mësimdhënësve…”, tha Jonuz Salihaj, njohës i arsimit

Përpos kërkesës për takim me Avokatin e Popullit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, ka mbajtur takim me disa nga shefat e Grupeve Parlamentare të Kuvendit, për të shprehur shqetësimin për ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale./21Media

Back to top button