Koreja e Veriut mohon se dërgoi armë në Rusi
"Ne kurrë nuk kemi pasur marrëveshje armësh me Rusinë…"

Koreja e Veriut mohoi të martën se i kishte ofruar armë Rusisë pas akuzave të SHBA-së se Pheniani po furnizon fshehurazi Moskën me armë për t’u përdorur në luftën në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin “të njollosin imazhin” e Koresë së Veriut “në arenën ndërkombëtare”, sipas një deklarate të zëvendësdrejtorit të punëve të jashtme ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes të Koresë së Veriut, të publikuar nga Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane (KCNA).
“Ne kurrë nuk kemi pasur marrëveshje armësh me Rusinë… nuk kemi asnjë plan për ta bërë këtë në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.
Javën e kaluar, inteligjenca e deklasifikuar amerikane tha se Koreja e Veriut po furnizon fshehurazi Rusinë me një numër të konsiderueshëm predhash artilerie për përdorim në Ukrainë dhe po përpiqet të fshehë dërgesat duke e bërë të duket sikur municioni po dërgohet në Afrikën Lindore apo Veriore”.
Zyrtarët amerikanë besojnë se dërgesat e supozuara të fshehta të Koresë së Veriut – së bashku me dronët dhe armët e tjera që Rusia ka blerë nga Irani – janë dëshmi të mëtejshme se edhe arsenalet e artilerisë konvencionale të Moskës janë pakësuar gjatë tetë muajve luftime.
Raporti vjen pas një deklarate të SHBA-së në shtator se Koreja e Veriut synon të furnizojë Rusinë me armë, duke përfshirë raketa dhe predha artilerie, të cilat Pheniani e mohoi menjëherë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?