Koreja e Veriut testoi me sukses një raketë hipersonike

Koreja e Veriut testoi me sukses një raketë hipersonike të mërkurën, testi i parë i madh i armëve këtë vit.
Në raport thuhet se raketa “goditi me saktësi” një objektiv të caktuar 700 km larg.
Ky është testi i dytë i raportuar i një rakete hipersonike, e cila mund të shmangë zbulimin për më gjatë se raketat balistike.
Testi vjen pasi udhëheqësi i saj Kim Jong-un ishte zotuar më herët se do të forconte mbrojtjen e Phenianit, transmeton rtv21.tv.
Kim tha në një fjalim të Vitit të Ri se Pheniani do të vazhdojë të forcojë aftësitë mbrojtëse për shkak të një mjedisi gjithnjë e më të paqëndrueshëm ushtarak në gadishullin Korean.
Koreja e Veriut testoi një sërë raketash vitin e kaluar në mes të bisedimeve të bllokuara me Jugun dhe SHBA-në.
Pheniani i bashkohet një numri të vogël vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, në përpjekjet për të zhvilluar raketa hipersonike.
Lëshimi i fundit u zbulua për herë të parë nga roja bregdetare japoneze herët të mërkurën, përpara se të konfirmohej nga autoritetet e mbrojtjes në Seul.
Armët hipersonike zakonisht fluturojnë drejt objektivave në lartësi më të ulëta se raketat balistike.
Eksperti i mbrojtjes nga Carnegie Endowment for International Peace Ankit Panda tha për Reuters se raketa e lëshuar së fundi nuk është e njëjta raketë hipersonike që u testua shtatorin e kaluar – Hëasong-8 – por se ajo ka disa karakteristika të ngjashme.
Raketa e re u debutua për herë të parë gjatë një ekspozite të mbrojtjes në Phenian në tetor 2021.
Testet vijnë ndërsa Pheniani lufton me mungesën e ushqimit për shkak të një bllokadë të koronavirusit që ka prekur rëndë ekonominë e tij.
Në takimin e fundvitit, Kim tha se vendi po përballet me një “luftë të madhe për jetë a vdekje”, duke shtuar se rritja e zhvillimit dhe përmirësimi i standardeve të jetesës së njerëzve ishin ndër synimet e këtij viti.
Pavarësisht kësaj, Koreja e Veriut nuk tregon asnjë shenjë të ngadalësimit të programit të saj të armëve, duke thënë se ato janë të nevojshme për vetëmbrojtje të saj.
SHBA i ka bërë thirrje Koresë së Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore dhe marrëdhënia e Phenianit me administratën e Presidentit Joe Biden deri më tani ka qenë e mbushur me tensione./21Media

Back to top button