Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshjen për Programin e Bashkëpunimin Ndërkufitar IPA lll

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për Programin e Bashkëpunimin Ndërkufitar IPA lll për vitet 2021-2027.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se kjo marrëveshje u mundëson vendeve që të përftojnë përkrahje nga Bashkimi Evropian me një shumë prej 8.4 milionë euro.

“Punësimi dhe mobiliteti i fuqisë punëtore përfshirë atë sociale dhe kulturore turizmi dhe trashëgimia kulturore promovimi i qeverisjes lokale. Brenda këtyre prioriteteve përfitimet do të zbatohen në zonat kufitare Kosovë-Mali i Zi. Në mënyrë që të zotohemi për zbatim të këtij programi, është planifikuar një taskforcë e përbashkët në Podgoricë dhe Prishtinë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet mundësia që të gjenerohen të ardhura shtesë.

“Ky bashkëpunim dhe nxitja e këtyre projekteve mendoj që ka impakt shumë të madh te banorët e këtyre zonave ndërkufitare”, është shprehur ai.

Bislimi ka shtuar se do të donte që një marrëveshje të tillë të arrihej edhe me Serbinë për shkak të qytetarëve, por për momentin mungon gatishmëria e Serbisë.

Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviq, ka thënë se kanë pasur një takim të rëndësishëm.

Ajo ka thënë se me këtë program deri tani janë financuar mbi 10 milionë euro.
Gorçeviq ka thënë se Mali i Zi është lider në rajon kur bëhet fjalë për integrime evropiane.

Back to top button